Hudhrat e kuqe të Shqipërisë çmohen fort për vlerat shëndetësore dhe shijen

Ka disa produkte tipike shqiptare që ndoshta nuk përbëjnë shumë kuriozitet për vetë ne shqiptarët por kur vjen puna tek turistët e huaj, ato tërheqin menjëherë vëmendjen.

Një grup turistësh gjermanë, teksa vizituan rajonin e Prespës u mahnitën nga gatimet tradicionale shqiptare atje, teksa shijen më të veçantë të disa prej gatimeve tipike e kanë gjetur tek hudhrat e kuqe.

Madje, ata janë kujdesur që disa tufëza të vogla me hudhra të kuqe t’i marrin me vete si produkte bio dhe të veçanta nga Shqipëria.

Ladi Çomo, administruesi i një pike agroturizmi thotë për AgroWeb.org se hudhrat e kuqe janë një produkt që tërheq shumë vëmendjen e turistëve të huaj.

“Duke qenë se është një produkt i veçantë dhe shijen e ka më unike se hudhrat e bardha ne mundohemi që t’ua prezantojmë vetë turistëve, të cilët jo vetëm mbeten të mahnitur kur e provojnë por marrin gjithnjë me vete.

E veçanta e kësaj hudhre është shija e fortë që ka duke i bërë speciale gatime.

Ndërkohë që hudhra e kuqe vlerësohet shumë edhe për vlerat e forta shëndetësore që ka. Këtu në zonën tonë ajo përdoret gjerësisht në kura të ndryshme popullore” thotë Çomo.

E njohur në Shqipëri, E rrallë në botë
Hudhra e kuqe është një varietet i veçantë, që fatmirësisht gjendet në zona të ndryshme të Shqipërisë por në botë ajo mbetet e rrallë.

Dikur, fara e saj ka qenë shumë popullore sidomos në fshatrat e vendit, zona në të cilat fshatarët kujdesen që ta kultivojnë edhe sot.

Një varietet i rrallë, shumë i njohur nga shefat më prestigjioze të kuzhinës në botë ashtu si edhe nga mjekësia popullore për përdorimet e saj shëruese.

Ndonëse nuk haset shpesh në tregjet e mëdha, hudhrat e kuqe gjenden lehtë në tregjet e fshatarëve dhe kanë të njëjtin çmim si ato të bardha.

Përfitimet Shëndetësore Të Hudhrës Së Kuqe
Quhet e kuqe për shkak të ngjyrës së lëkurës së saj ndonëse thelpinjtë e saj janë të bardhë.

Për nga pikëpamja e vlerave ushqimore, hudhra e kuqe ka të njëtat vlera ashtu si edhe e bardha por në krahasim me këtë të fundit ka disa veti të tjera më të veçanta shëndetësore.

Hudhra e kuqe vlerësohet për përmbajtjen e saj natyrale të organosulfurit, një substancë me shumë përfitime për shëndetin e organizmit.

Këto substance vlerësohen se mbrojnë organizmin nga sëmundjet tumoriale.

Hudhra e kuq vlerësohet gjithashtu për vetitë e forta anti inflamatore duke luftuar shumë sëmundje kronike, tumore, obezitetin, sëmundjet e zemrës ashtu si edhe diabetin.

Gjithashtu, ajo ka fuqi kundër infeksioneve, virozave dhe baktereve duke vepruar si një antibiotic i vërtet natyral në organizëm.

Hudhra e kuqe është një burim i mirë vitaminash dhe mineralesh ndërsa vlerësohet për vetitë e saj antioksidante.

Shije e Fortë, Gatime Speciale
Hudhra e kuqe veçon për shijen e saj të fortë, të thellë dhe pak pikante.

Ajo përdoret në receta të shefave prestigjioze të kuzhinës në përgatitjen e salcave të ndryshme.

E përdorur në receta të ndryshme ajo u jep gatimeve një shije të këndshme dhe aromë fantastike.

Ndaj dhe në pika të ndryshme agroturizmi në vend, hudhra e kuqe është shndërruar në një përbërës unik që me sa duket po tërheq shijen e turistëve të huaj

Related Posts