Konferenca e shkencave të mjekësisë, Haxhirexha: Kjo është një arritje mjaft e madhe për Universitetin e Tetovës

Profesorë, mjekë, kirurgë, ortopedë, internistë, stomatologë, kardiologë dhe specialistë të ndryshëm të shkencave të mjekësisë nga vendi, rajoni dhe Evropa i shpalosën idetë dhe shkëmbyen mendimet e tyre në lidhje me tematika të ndryshme, që kanë të bëjnë me mjekësinë e përgjithshme.

Konferenca ishte e fokusuar kryesisht mbi zhvillimet dhe prurjet e reja në mjekësinë e përgjithshme, ndërsa thelbi kryesor i kongresit ishin arritjet më të fundit në lëmin e traumatologjisë.

Dekani, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, theksoi se ky aktivitet shkencor është motivues për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen mes universiteteve nga rajoni, Evropa dhe bota. “Ishte kënaqësi për ne si Fakultet i Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës që të bashkonim në një ngjarje të tillë shkencore universitetet, jo vetëm shqiptare, por edhe ato ballkanike dhe evropiane duke ftuar një numër të madh personalitetesh eminente nga shkencat e mjekësisë. Kjo është një arritje mjaft e madhe për Universitetin e Tetovës, por është edhe një mesazh për të gjithë shoqërinë, se çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Vetëm duke bashkëpunuar do të hapim dyert e mirëqenies dhe progresit” – tha Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha.

Konferenca Shkencore e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Kongresi II i Traumatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente, në përputhje me agjendën dhe programin e tyre të punimeve, përveç prezantimeve nga specialistë dhe ekspertë të ndryshëm të fushave të mjekësisë, trajtim të veçantë u kushtuan edhe studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, të cilët para profesorëve eminentë prezantuan punimet e tyre shkencore për. Ndërsa studentët e stomatologjisë zhvilluan punëtori (workshop) me specialistë të stomatologjisë. Specialistët e kirurgjisë orale, në mesin e të cilëve edhe Dr. Spec. Danço Bizevski, vlerësuan lart programin studimor të Stomatologjisë, pasi që aftësitë e studentëve për të realizuar implantin e dhëmbit janë një dëshmi se ky fakultet përgatit kuadro profesionistësh në fushën e stomatologjisë.

Vlerësime për organizimin e Konferencës së Tretë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të UT-së dhanë personalitete të ndryshme të mjekësisë. Ish-rektori i Universiteti të Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti vuri në dukje se kjo ngjarje shkencore i ngre edhe më shumë vlerat dhe cilësitë, jo vetëm të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, por edhe të Universitetit të Tetovës në përgjithësi. “Kjo ngjarje shkencore bëri që ne studiuesit e këtyre fushave të prezantojmë njohuritë tona rreth tematikave të ndryshme që kanë të bëjnë me mjekësinë. Sigurisht që debati nuk mungoi. Kishte divergjenca mes studiuesish, diskutime të shumta, vërejtje e kështu me radhë. Po ashtu në kuadër të këtij aktiviteti ne e themeluam edhe Shoqatën Mbarëshqiptare Morfologjike të Anatomëve. Kjo shoqatë, pa hatër mbetje, do të jetë pjesë e Universitetit të Tetovës, për arsye se institucioni ynë ka nevojë. Me bashkëpunëtorët nga të gjitha trevat shqiptare do t’i realizojmë qëllimet tona si shoqatë duke realizuar misionin tonë si studiues shkencorë” – deklaroi Prof. Dr. Sadi Bexheti.

Related Posts