500 mijë litra birrë bllokohen në Kashar, 70 milion lekë gjobë subjektit

Mos pagimi i detyrimeve të akcizës i ka sjellë një kosto të rëndë një fabrike të prodhimit të birrës në Kashar. Në kuadër të luftës kundër informalitetit, këtij subjekti i janë bllokuar 500 mijë litra birrë pasi u evidentua se kishte rreth 17.6 milion lekë detyrime akcize të papaguara.

Hedhja për konsum e birrës pa paguar detyrimet e akcizës përbën kundravajtje administrative e cila sipas ligjit dënohet me 3-fishin e detyrimeve të akcizës që duheshin paguar. Për pasojë kjo fabrikë është gjobitur me 70 milion lekë.

Vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka qenë e pranishme në terren për këtë kontroll. Ajo paralajmëroi të gjitha subjektet e tjera të kësaj natyre, por jo vetëm, që të evidentojnë të gjithë mallin që kanë në magazina brenda një regjimi fiskal, në të kundërtën do të kenë të njëjtin fat.

“Evidenca e 70 mln lekëve që duhet të jenë të paguara nga subjekti janë pjesë jo vetëm e detyrimeve, por edhe 3-fish gjobë. Kjo shumë nuk justifikon asnjë model biznesi. Evidentoni të gjithë mallin brenda një regjimi fiskal. Çdo magazinë fiskale do të kontrollohet, duke filluar nga ato më të voglat tek ato më të mëdha”, u shpreh Denaj. /Opinion.al

Shiko tv shqip

Related Posts