Basha mbledh në miting demokratët dhe përplaset me policinë, kreu i PD paralajmëron thyerje të regullave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e djeshme disa takime maratonë me qytetarët dhe bizneset në qytetin e Kavajës, ndërkohë që në përfundim të vizitës së tij mblodhi në një miting edhe simpatizantët demokratë, të cilëve iu dërgoi disa mesazhe politike. Siç dukej edhe nga pamjet e transmetuara Live në Facebook e kreut të PD, pritja ka qenë mjaft e mirë. I emocionuar nga kjo pritje e qytetarëve, që thërrisnin “Rama ik”, zoti Basha ka hipur mbi makinë dhe i ka përshëndetur të gjithë mbështetësit e tij. “Kujdes maskat! Ju falënderoj nga zemra. Bashkë për ndryshimin. Rama ik”, deklaroi ai.

Po ashtu, Basha iu ka kujtuar të pranishmëve masat anticovid të mbajtjes së distancës. “Mbajmë pak distancë se jemi shumë afër njëri-tjetrit”, dëgjohet të thotë Basha, i cili për t’i përshëndetur të gjithë ka hipur mbi makinë. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar vizitën e tij dje në Kavajë, ku u takua me qytetarë dhe simpatizantë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha theksoi se në Kavajë gjeti entuziazmin dhe padurim në këtë qytet. Mes të tjerash, ai tha se 25 prilli është një referendum kundër të keqes.

“Sot vizitova qytetin e Kavajës ku në çdo hap dhe çdo përshëndetje, në çdo rrugë dhe çdo derë gjeta entuziazëm, padurim dhe vendosmëri për ta shndërruar 25 prillin në një referendum kundër të keqes që ka mbjellë Edi Rama prej 8 vitesh. Diskutova me qytetarët dhe sipërmarrësit planet tona të punës për të kthyer normalitetin në Shqipëri dhe për të sjellë shpresën dhe ndryshimin që i duhet kaq shumë vendit. Do të ulim taksat dhe do të heqim pengesat për të bërë biznes. Do të çlirojmë biznesin nga taksat e rënda dhe oreksi i mijëra inspektorëve.

Do të anulojmë fiskalizimin dhe do të dërgojmë për ndjekje penale edhe këtë aferë të hapur korruptive”, nënvizoi ai. Por takimi i Bashës me simpatizantë të PD në qytetin e Kavajës, nuk ka kaluar pa u vënë re. Ka qenë Policia e Shtetit, e cila reagoi dje, pas takimit të kreut të Partisë Demokratike, në qytetin e Kavajës, ku u shfaqën një grumbull njerëzish, në kundërshtim të rregullave anti-Covid.

Në një njoftim zyrtar, policia thekson se deri kur rregullat në fuqi do ta ndalojnë grumbullimi e mbi 10 personave, Policia e Shtetit është e detyruar të penalizojë shkelësit. Policia e Shtetit shpreh shqetësim për thyerjen flagrante të rregullave anticovid në grumbullimin e disa njerëzve nga ana e një subjekti politik. Bëjmë thirrje për respektimin e këtyre rregullave nga të gjithë dhe shpresojmë në mirëkuptimin e të gjithëve. Deri kur rregullat në fuqi do ta ndalojnë grumbullimi e mbi 10 personave, Policia e Shtetit është e detyruar të penalizojë shkelësit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Shiko tv shqip

Related Posts