Basha nga Korça: Do ta ringrejmë ekonominë. Karantinë 1-vjeçare për inspektoriatet

Korça në varfëri si kurrë më parë. Njerëzit marrin ushqim me lista ose duke lënë pengje’, deklaroi kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë një bisede me bizneset në qytetin e Korçës.

Ata i janë ankuar Bashës se ‘xhiroja ditore ka rënë me 70%’.

‘Ramavirusi është pandemia e varfërisë dhe e krizës, që po shkatërron vendet e punës. Prioriteti ynë nr. 1 është të ringrejmë ekonominë, të rrisim punësimin dhe mirëqenien’, tha Basha gjatë bashkëbisedimeve.

Sipas kreut të PD, ‘situata është keq e më keq. Ne do të çlirojmë biznesin nga ankthi i terrorit të taksidarëve, duke futur në karantinë 1 vjeçare inspektoriatet’.

Basha deklaroi se Partia Demokratike do të krijojë një ‘sistem konkurues taksash për rajonin. Për biznesin e vogël deri në 140 milionë lekë, do të jetë vetëm 1 taksë, 0.5% e xhiros vjetore. Çdo taksë apo tarifë tjetër, do të zhduket.

Për biznesin e madh, taksa e sheshtë 9 %, për më shumë vende pune dhe investime. Kjo sjell zinxhir pozitiv për ekonominë, më shumë konsum dhe më shumë para në xhepat e biznesit dhe qytetarëve’.

Komunikimi nga Korça i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha:

Korça është një nga zonat më të mirëqena në vend, por kriza ekonomike ka depërtuar edhe aty. Pronarët e bizneseve të vogla i thanë kreut të opozitës Lulzim Basha se gjendja është përkeqësuar shumë, njerëzit blejnë me lista ose lënë pengje në këmbim të ushqimit.

‘Punët janë si mos më keq, jam drejt mbylljes së biznesit, të cilin e kam prej 20 vjetësh’- thotë Luani. Ai tregoi i revoltuar se me ushqimoren e tij modeste po paguan taksa si biznes i madh, megjithëse, siç tha ai, premtimi i kryeministrit ishte ndryshe.

‘Kryeministri ka kopjuar programin e Partisë Demokratike, por nuk e kupton, kështu që mos iu refero fare atij.’- iu përgjigj kreu i opozitës, duke theksuar se në krizë të thellë janë si biznesi i vogël, edhe ai i madh. Për të vënë dukje gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, pronari i ushqimores i tregoi zotit Basha bllokun me listat e ushqimeve të marra nga qytetarët dhe të papaguara.

‘Këtu janë 5-6 milionë lekë pa u mbledhur. Njerëzit nuk kanë. Korça eshte e mbaruar, njerëzit po ikin. Konsumi ka rënë, të rinjtë janë pa punë’- u shpreh Luani, ndërsa Besjani, që ka një pikë shpërmdarje të ushqimeve në të gjithë Korçën, tregoi për një tjetër fakt të rëndë, që po vihet re në disa qytete.

‘Njerëzit lënë pengje për të blerë ushqime, edhe mobilje lënë pengje. Unë furnizoj gjithë qarkun dhe mund të them se ka rënie 70 % të xhiros’- u shpreh ai, duke kërkuar nga zoti Basha që qeveria e tij të marrë masa për të rritur konsumin, për të punësuar të rinjtë dhe për të rritur mirëqenien.

Shiko tv shqip

Related Posts