Edi Rama: Meta poshtëroi Kushtetutën dhe turpëroi Shqipërinë në raportet me SHBA, 90% e shqiptarëve votuan për largimin e tij

Kryeministri Edi Rama është kthyer dje me urgjencë nga Bullgaria për të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Kreu i qeverisë mbajti një fjalë të shkurtër para deputetëve duke renditur arsyet pse Meta nuk duhet të jetë më në zyrën e presidentit. Kryeministri u shpreh se Meta ka poshtëruar Kushtetutën, ka dhunuar demokracinë e ka turpëruar vendin në marrëdhëniet me SHBA. Sipas kryeministrit, Meta i ka humbur të gjitha shanset bujare që të kthehet në binarët e arsyes.

“Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokraci. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë në marrëdhënien krejt speciale me SHBA. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare. Ilir Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht, për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore”, u shpreh Rama. Ai shprehu keqardhje për Metën si një mik i dikurshëm teksa deklaroi se tashmë Meta ka mbaruar punë me rolin e presidentit.

Sipas tij më shumë se 90% e popullit ka kërkuar shkarkimin e tij nga detyra. “Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, duke u bërë gazi i botës në sytë e miqve dhe qytetarëve. Prandaj ky Parlament duhet të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90% të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin dhe fjalët për të si president kanë mbaruar”, tha ai.

Reagon Balla

Ndërkohë edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla shprehu keqardhje që Meta nuk arriti të sillej si president. Ai tha se Meta nuk ka arritur të përfaqësojë unitetin e kombit ku thumboi edhe kreun e PD Lulzim Basha. Balla u shpreh se kryedemokrati nuk e do shkarkimin e Metës sepse pas kësaj ai mund të kalojë në krye të opozitës. Sipas tij, klima politike në vend duhet të qetësohet dhe të nisë bashkëpunimi për ta bërë vendin si Europa. “Unë shpreh keqardhjen që z.

Meta nuk u soll dot si President Republike edhe pse unë isha nga ata që e zgjodhën. Ai prej 25 prillit nuk përfaqëson dot më as unitetin e opozitës jo më të kombit. Luli ka hallin e vetëm që të mos shkarkohet Meta që të mos i shkojë në opozitë. Është hera e parë në 30 vite që Kuvendi i Republikës çon deri në fund procesin e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Unë besoj se legjislatura pasardhëse ta ç’tensionojë klimën politike në Shqipëri dhe të punojmë të gjithë së bashku për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa”, tha Balla.

Shiko tv shqip

Related Posts