Fevziu pastron rrugët me fshesë dhe u jep leksion grave, për pastërtinë dhe nikoqirllëkun

Bëhemi me dije, se sot në mbrëmje, Fevziu ynë, domethënë Blendi, do të sjellë në ekranin e “Klan”, qytetin juglindor më të njohur shqiptar, Korçën.

Ashtu siç bën kudo, në çdo qytet, apo krahinë, ku këmba e tij shkel, Fevziu me protagonizmin e vet, jo vetëm ka lënë gjurmë të thella, por ka shastisur dhe lënë me gojë hapur, të madh e të vogël.

Siç do ta ndiqni edhe në mbrëmje, Fevziu ju dha një leksion të merituar të gjitha grave, vajzave, nënave, deri edhe burrave të këtij qyteti.

Duke rrezikuar edhe jetën, me mospërdorimin e maskës, Fevziu ynë bëri një performancë të jashtëzakonshme, duke demonstruar mënyrën artizanale, por edhe me lëvizje kontemporane, se si fshihen dhe pastrohen rrugët.

Me një fshesë të kashtëzuar nëpër duar, ai nuk la kokërr plehre pa grumbulluar dhe pa futur në thasë plastikë.

Të gjitha gratë e pranishme që u ndodhën aty, të ftuara dhe të paftuara, u habitën tej mase, dhe njëzëri thanë: Lum ajo grua që e ka këtë burrë!

Pasi mbaroi pastrimin, Fevziu kërkoi takim edhe me disa këngëtarë të vjetër korçarë, për të kënduar një serenatë, nga ato që këndoheshin dhe këndohen natën, në rrugicat dhe sokakët e Korçës.

Fatkeqësisht, kjo kërkesë nuk u realizua, sepse 2-3 prej pleqve që Fevziu kërkoi, kishin vdekur dhe të tjerët, për arsye të Covidit, nuk u paraqitën. Në fund, Fevziu u detyrua ta këndojë një serenatë, me ndihmën e Drini Zeqos, tre vajzat e stafit dhe Niko Peleshin, që i di përmendësh të gjitha vargjet dhe meloditë e serenatave.

Pasi Fevziu u largua nga Korça, me entuziazmin që ai krijoi për pastrimin e rrugëve, shumë gra nikoqire të Korçës, u mblodhën dhe i shkruajtën presidentit Ilir Meta një letër, nëpërmjet së cilës i kërkuan dhe ju përgjëruan, që ai t’i japë Fevziut një dekoratë me motivacionin, “Për merita të veçanta, si përdorues i fshesës prej kashte dhe si burri më nikoqir i Republikës së Shqipërisë, që nga viti 1912 deri më sot“.

PS. Ndiqni më poshtë mini-videon, ku Fevziu, me fshesë në dorë, pastron rrugët e Korçës!

/TPZ.al/Tej e këtej/

VIDEO:

Shiko tv shqip

Related Posts