Hahn: Shqipëria parakalon Serbinë, po “vrapon” drejt BE

Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Johannes Hahn në një intervistë për gazetën prestigjoze gjermane “Die Welt” ka deklaruar se Shqipëria është një prej vendeve që po “vrapon” drejt Bashkimit Evropian.
Hahn u shpreh se për një kohë të gjatë ka qenë Serbia dhe Mali i Zi përparuese drejt BE, por tani mund të jenë dy vendet e tjera, Shqipëria dhe Maqedonia.

“Por, – thotë Hahn, – ka një lloj konkurrence pozitive në Ballkan, pasi për një kohë të gjatë kanë qenë Serbia dhe Mali i Zi, dy vendet që konsideroheshin si ‘vrapues’ përpara në procesin e anëtarësimit, por tani këtë pozicion mund ta kenë zënë Shqipëria dhe Maqedonia”.

Kjo, edhe pas zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Athinës. Sidoqoftë, për komisionerin europian ka ende disa çështje themelore që duhet të zgjidhen, para se vendet e Ballkanit të mund të anëtarësohen.

Kryesorja, sipas tij është që Serbia dhe Kosova të gjejnë një zgjidhje për mosmarrëveshjen mes tyre, ndërsa Bosnjë-Hercegovina duhet të ndryshojë Kushtetutën për pakicat etnike. Duke u ndalur te Turqia, Hahn thotë se anëtarësimi i saj në BE nuk është diçka realiste, të paktën për të ardhmen e afërt.

“Do të ishte më e ndershme që Turqia dhe BE-ja të ndjekin një drejtim të ri dhe t’u japin fund bisedimeve të pranimit”, tha Hahn për gjermanen “Die Welt”.

Shiko tv shqip

Related Posts