Ja videoja e rrahjes së Agron Mustafës nga dy policët civilë (VIDEO)

Drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa është sulmuar sot fizikisht nga dy policë në lagjen e njohur si “Te Qafa” në Prishtinë.

Sulmuesit e Agron Mustafës janë identifikuar të jenë dy policët, Nazim Sahiti dhe Avni Berisha të cilët nga pamjet e siguruara nga Insajderi shihen teksa sulmojnë drejtorin e VALA-s.

Sipas Policisë së Kosovës, në këtë ngjarje kanë qenë të përfshirë katër persona ku dy prej tyre janë arrestuar.

Drejtori i PTK-së gjatë ditës për medie ka thënë se asnjëherë nuk i kishte njohur më parë dy zyrtarët policorë që e sulmuan. Ai thotë se nuk e di arsyen e sulmit.

“Arsyeja e sulmit ndaj meje nuk e di cila është, por janë dy zyrtarë policor. Kurrë në jetë hiç, kurrë në jetë, një fjalë me njërin me tjetrin nuk e kam ndërruar, shumë korrekt gjithë kam qenë. Hiç kurrgjë, më kanë ndal në rrugë për një minutë kanë fillua me më goditë me grushte dhe sharje”, ka treguar Mustafa.

Por, në polici deklarata krejtësisht të kundërta nga Mustafa kishin dhënë dy zyrtarët policorë. Sipas Avni Berishës me Mustafën kishte një problem qysh para një jave. Ai përmend se shkak kishte qenë një foto.

“Drejtori i Valës ka pasur probleme direket veç me mu. S’ka pasur probleme me Nazim Sahitin. Kur më ka takuar me është vërsulur. Ka thënë se s’del p.. nëne që më fotografon mua. Nuk e kam fotografuar sepse s’kam pasur pse të bëja fotografi të tilla. Nuk di nëse është duke u zhvilluar hetime ndaj tij”, ka thënë Berisha, teksa shton se kishte tentuar ta arrestoj Mustafën, por sipas tij, ai kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Një version tjetër kishte thënë edhe drejtori i Antikrimit në Policinë e Kosovës i përfshirë në këtë përleshje, Nazim Sahiti.

“Ka qenë një mosmarrëveshje e një kolegut tim që kam qenë me to me Agron Mustafën. Unë isha duke e pritur në veturë. Kam dëgjuar do fjalë mes tyre. Kur kam dalë i kam pa duke u shtyrë njëri me tjetrin. I kam nda dhe kjo ka qenë e gjitha. Çka thotë Agroni nuk është e vërtetë”, ka thënë Sahiti.

Sahiti po ashtu kishte mohuar se ka pasur rrahje me drejtorin e PTK-së.

“S’kam parë grushtim. Kur kam dalë, e kam tërhequr kolegun tim. Kur kam dalë e kam pas një shok të Agronit mbi shpinën e kolegut tim”, ka thënë Sahiti.

Ndërkaq lidhur me sulmin e dy policëve ndaj Mustafës, Inspektoriati Policor i Kosovës ka filluar hetimet ndaj policëve të përfshirë.

Shiko tv shqip

Related Posts

Add Comment