Kush është gruaja që krijoi gjurmuesin më të njohur të Covid-19?

Lauren Gardner, gruaja që qëndron mbrapa atij që mund të jetë gjurmuesi më i famshëm i koronavirsuit të ri, nuk është profesioniste shëndetësore, ajo është inxhiniere.

Prej raportimit të rasteve të para të koronavirusit, tabela e Universitetit Johns Hopkins, e zezë dhe hiri, me pika të kuqe, që tregojnë për rastet e të prekurve, të shëruarve dhe vdekurve me koronavirus në 188 shtete dhe rajone, është vënë në qendër të përpjekjeve për të luftuar pandeminë nga autoritetet shëndetësore, hulumtuesit dhe politikëbërësit.

Ky projekt, që është cituar edhe nga Shtëpia e Bardhë, është kthyer në burim të informacionit për gazetarët dhe publikun, meqë numëron mbi 640 milionë klikime ditore.

Gardner, profesore e asociuar e sistemeve civile inxhinierike në Universitetin Johns Hopkins, dhe krijuese e hartës interaktive, ka thënë se nuk e ka menduar se projekti gjurmues, i krijuar brenda ditës, do të merrte vëmendje të tillë.

Mirëpo, ai është përhapur menjëherë, duke u mundësuar njerëzve që të ndjekin pandeminë në kohë reale pas raportimit të rasteve në Kinë.

Deri më tani, në gjithë botën janë regjistruar më shumë se 9 milionë raste me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, derisa 469,000 prej tyre kanë vdekur.

“Atë e kam parë si diçka që do të mund të përmbushte nevojën e hulumtimit, andaj fakti që kjo gjë ka prekur jetën e secilit në planet, është gjë paralele”, ka thënë Gardner, e cila është bashkë-udhëheqëse e Qendrës për Sisteme Shkencore dhe Inxhinieri në Universitetin Johns Hopkins.

“Mendoj se ka rezultuar me mbushje të zbrazëtisë së madhe që ka ekzistuar në të ofruarit e informacioneve për publikun”, ka thënë ajo për revistën amerikane, U.S. News & World Report.

Projekti ka lindur më 21 janar, kur Gardner dhe dy studentët e saj të diplomuar ishin takuar në një kafene. Përgjatë diskutimit, ata ishin fokusuar në koronavirusin e paparë deri atëherë, dhe i cili deri në atë periudhë kishte infektuar rreth 200 persona në Kinë, prej nga ishin të dy studentët, dhe në tri shtet tjera.

Në po të njëjtën ditë, zyrtarët amerikanë kanë raportuar për rastin e parë me koronavirus në Uashington, një burrë që sapo kishte vizituar provincën Hubei në Kinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ende nuk e kishte shpallur shpërthimin e koronavirusit si pandemi, dhe sëmundjes, që shkakton koronavirusi, ende nuk i ishte dhënë emri Covid-19.

Përgjatë bisedës, Gardner dhe një prej studentëve të saj, Ensheng Dong, kishin vendosur që të gjurmonin virusin, dhe harta ishte publikuar më 22 janar.

Projekti kishte fituar aq shumë vëmendje saqë ekipi i Gardnerit kishte lënë gjithçka anash, për t’u fokusuar në gjurmues. Deri në fund të muajit janar, kjo hartë interaktive me të dhëna ka siguruar rreth 200 milionë ndërveprime brenda ditës.

Deri në fund të muajit mars, ajo ishte klikuar mbi 1.2 miliard herë.

Shiko tv shqip

Related Posts