Kush është shqiptari që nga tregtar llamarinash u bë baron droge në Turqi

Met Kanani, personi që u arrestua më 20 mars gjatë një operacioni të Policisë turke me 1.1 tonë hashash, po hetohej prej një viti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Baroni i drogës, siç e konsiderojnë mediat turke, dyshohet të ketë trafikuar disa ngarkesa të mëdha kanabisi drejt vendeve të Lindjes, por edhe heroinë drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Burimet thanë se Met Kanani po ndiqej njëkohësisht nga policitë e disa vendeve të BE-së, ashtu sikurse edhe nga Turqia, por edhe Policia shqiptare. E megjithatë, prej një viti kur ishte regjistruar procedimi penal, pas një informacioni policor, askush deri më 20 mars nuk kishte rënë në gjurmët e tij, shkruan“Panorama”.

Oficerët e Hetimit të Narkotikëve dorëzuan dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen hetimore në lidhje me grupin që drejtonte Kanani. Burimet thanë se në dosje ka informacione dhe të dhëna të administruara në formën e akteve hetimore, gjithashtu edhe informacionet e shkëmbyera me Policinë turke gjatë 6 muajve të fundit.

Gjatë një viti që kanë zgjatur hetimet për grupin e “Met shqiptarit”, janë identifikuar të paktën 10 persona që kanë punuar për të, duke trafikuar sasi të ndryshme kanabisi dhe heroine.

BARONI I DROGES

Sipas Policisë turke, Met Kanani ka pjesën më të rëndësishme të rrugës ballkanike për trafikun e drogës. Ekspertët e antidrogës në Stamboll kanë të dhëna se përveç linjës së trafikut të kanabisit nga Shqipëria drejt Turqisë e më pas në vendet arabe, ai ka edhe një linjë tjetër për heroinën, të quajtur “rruga e kthimit”.

Së fundmi është zbuluar se për të trafikuar heroinën e marrë në Afganistan e Iran, që kalon më parë përmes Turqisë, tashmë po përdoren dy rrugë. E para është linja veriore,që kalon nga Deti i Zi dhe përmes rrugës ballkanike kalon në Europë. Ndërsa e dyta kalon në vijën veri-jug dhe për këtë linjë përdoret deti Egje.

Personi që aktualisht konsiderohet baron droge, “karrierën” e tij e ka nisur si tregtar llamarinash në Fier. Në emër të tij rezulton i regjistruar një biznes që ka si objekt importeksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të lëndëve të ndryshme industriale, hekuri, llamarinë dhe përpunimin e tyre. Së fundmi, ky biznes rezulton i çregjistruar në QKB. /Panorama/

Shiko tv shqip

Related Posts