Marku: PD nuk ka luftuar komunizmin brenda vetes, Basha është ai që kam njohur

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, njëkohësisht edhe student i lëvizjes së dhjetorit të 90-ës, në një aktivitet të organizuar sot në Ditën e Rinisë ka bërë një refleksion të situatës ku ndodhet Partia Demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Marku tha se PD nuk ka luftuar ende komunizmin brenda saj. Ai theksoi se PD duhet të rimarrë misionin që ka humbur dhe duhet të bashkohet.

“Ne po bëjmë refleksion. Dy gjëra kanë ndodhur të tmerrshme në Shqipëri. PD e rrëzoi komunizmin, por e futi brenda vetes. PD nuk ka luftuar komunizmin brenda vetes. Sot po vuajmë pasojat. Sot PD që është një parti me të cilën jemi lidhur, për mua është pasion, jo interes. Është pasion pasi megjithëse je i përfshirë në jetën politike që e gjykoj se është sakrificë, është gjë që ka lindur pas lëvizjes ose në valën e lëvizjes së dhjetorit. PD i përkujton shumë heronjtë e dhjetorit, por i ka vrarë. S’kemi pse të kemi heronj ne. Askush nuk është vrarë nga ne, veç Azem Hajdarit. Frymën e kësaj lëvizje, duhet ta kishte bërë frymën e vetë. Se të vret kur t’i shkon edhe me frymën e dhjetorit. Në momentin që ti flet, konsiderohesh armik. Në momentin që nuk je dakord me liderin, ti konsiderohesh armik. Unë mendoj që të largojmë frymën komuniste dhe të menduarit në mënyrë komuniste. Im at thoshte që u nisa nga Mirdita, në Ulzë dhe do të prisnin Hurshovin. Ai nuk kishte ardhur dhe u kthyen në Mirditë. Dhe unë iu thashë: po pse budallenj ishit ju që shkuat?! Unë po të më ngjallet Shekspiri dhe të më vinte në Tirana, unë se prish një kafe me një mik për të parë nga afër Shekspirin. Individi është individ. Unë se adhuroj individin. Duhet ta rimarrë misionin PD, se e ka humbur. Këtu mund të bashkohemi bashkë, me pjesën tjetër të shoqërisë. Kështu do të kem unë interes që të vijë në PD, Spiro, apo të rinj të tjerë, kushdo që të bashkojë kontributet me PD. Nëse PD merr misionin e saj, asnjëherë nuk është vonë. As për të kërkuar falje, as për të bërë analiza, dhe kauza të lirisë. PD duhet të rimarrë dhe t’i lërë budallallëqet të Partisë së Punës që mendon së dikush vjen si Zoti”, tha Marku.

Ndër të tjera, Marku theksoi se për të Lulzim Basha ka qenë i njëjti njeri, me të mirat dhe të këqijat e tij, edhe para 9 shtatorit, kur ky i fundit shpalli vendimin për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD-së.

“Se nuk besojmë as vetë dhe nuk mendojmë si të tillë. Kur na kthehet kundër demokracia themi; Lulzim Basha ishte i mirë para 9 shtatorit (Brohorasin emrin e Bashës). Pas shtatorit doli si njeriu që i ka të këqijat e botës. Për mua Lulzim Basha është ai që kam njohur, me të mirat dhe të këqijat, para shtatorit, para-para shtatorit. Ku e di unë! është i mirë dhe i keq aq sa jemi dhe në këtu. T’i lëmë këto gjëra. Unë mendoj se thelbi nuk është ky. Me komunizmin brenda nesh kemi punë. Ta largojmë nga brenda vetes dhe nga PD dhe nga shoqëria.”, tha Marku

Shiko tv shqip

Related Posts