MJEKJA POGRADECARE QË THEU PARAGJYKIMET, BËN FIZIOTERAPISTEN ME FUTBOLLISTËT E SKUADRËS SË QYTETIT

Nuk është gjithmonë e lehtë të punosh në një ambient mashkullor, por Alma Angjo ia ka dalë mbanë. Dhe dëshmia më e mirë janë pikërisht vitet. Ka që prej 2013-ës që bën fizioterapisten te Pogradeci dhe e ushtron këtë profesion me aq shumë pasion dhe devotshmëri. Ka thyer çdo tabu, madje edhe rekorde. Ajo dhe Eva Karniero (mjekja e Çelsit) janë femrat e vetme që janë pjesë e stafeve mjekësore në futbollin europian. Aspiratat i ka të mëdha, aq sa nuk ngurron ta thotë hapur që lakmon të bëhet pjesë e stafit mjekësor në Kombëtaren e madhe.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ajp rrëfen si është të punosh te liqenorët dhe mbi të gjitha raportet me çunat, sikundër preferon që t’i thërrasë ajo. Shumicën i ka rritur vetë që nga koha kur ishin pjesë e akademisë, ndaj edhe shumica e quajnë teze.

Alma, sa vite u bënë që punon si fizioterapiste te klubi sportiv Pogradeci?

Te Pogradeci kam hyrë në vitin e 8-të, por këtë zanat e ushtroj prej 2009-ës. Para se të vija në klubin e Pogradecit, kam qenë edhe pjesë e ekipin kombëtar të volejit femra.

Si është të punosh në një ambient kaq mashkullor?

Me sinqertet e them, unë ndihem shumë mirë këtu. Çunat gjithnjë më kanë trajtuar si pjesë të familjes dhe ne, në fakt, jemi një familje. Aq sa po zbuloj formën se si më thërrasin, teze. Jam shumë komode me ta.

Më mirë të punosh me femra apo me meshkuj?

Te të dyja ekipet kam qenë OK, por këtu ndihem më mirë dhe ndikim ndoshta kanë edhe vitet apo fakti që çunat i kam rritur që kur kanë qenë pjesë e akademisë.

Di që je edhe mësuese fizkulture, a i përballon dot të dyja njëherësh?

E vërtetë. Jam mësuese në një shkollë të mesme. Është rutina ime e përgjithshme dhe jam mësuar. Pak e vështirë është, por kurrsesi e pamundur.

Në gjithë këto vite, a ka pasur ndonjë situatë që të ka vënë vërtet në siklet?

Të sharat janë pjesë e pandarë e futbollit, i kanë në majë të gjuhës. Por, kam vënë re diçka, sapo futem unë në fushë, ka një lloj stepjeje. Ka ndikim më shumë e pozitivitet prania e një femre në një ambient mashkullor. Ua këshilloj edhe klubeve të tjera këtë, pasi prania e një femre i zbut shumë situata.

Çfarë këshille do t’u jepje vajzave të tjera që kanë mbaruar fizioterapi dhe hezitojnë që të punojnë në një klub futbolli?

Çdo vajzë do ta ndiente veten shumë mirë në një ambient të tillë, ndaj të mos hezitojnë fare. I bën mirë futbollit mbi të gjitha, pasi do kishte më tepër edukatë, qetësi dhe loja mbi të gjitha do të ishte më “Fair”.

Cili është lojtar më zevzek që ke hasur?

(Qesh) Lojtari më problematik që kam pasur është Artion Alillari, por në kuptimin e mirë të fjalës. Ai është aktualisht te Dinamoja. Gjatë gjithë kohës më ankohej për çdo gjë. E kam pasur edhe nxënës, ndaj mund të them që e kam rritur. Ndryshe na të tjerët, më thërriste “mama” dhe kur kishte ndonjë problem vinte dhe më thoshte: “Mama mua më dhemb këtu e më dhemb këtu”. Shpesh me humor i përgjigjesha: “Të dhemb vetëm mendja”. Ishte i përkëdheluri im, më mirë të them.

Po më i sjellshmi?

Këtu nuk mund të përjashtoj askënd, pasi të gjithë janë shumë të sjellshëm.

Është thjesht punë kjo për Almën apo je bërë tifoze dhe merr vesh nga futbolli?

Në fillim nuk merrja vesh fare. Dija rregullat bazë, por jo më shumë se kaq. Kishte disa episode të tipit “offside” apo “goditje dënimi” që nuk i kuptoja. E megjithatë, i mësova gradualisht. Të them që nuk jam tifoze, do gënjeja. Jam, dhe e çmendur madje.

E ndjek ekipin edhe në transferta besoj…

Po, patjetër. Udhëtojmë një ditë përpara dhe nuk kam asnjë siklet. Për mua është punë dhe çunat më bëjnë që të ndihem sikur jam në shtëpi. Ata që të mos më mundojnë, i transportojnë edhe çantat e mia, madje gjatë rrugëtimeve, dhe nuk kam pak, por tri (qesh). Veç asaj me rrobat e mia, një është me ilaçe dhe tjetra ajo fushës. Ata janë gjithnjë prezentë dhe më mbajnë afër. Që të mos ndihem e vetme, ata janë me mua dhe më nxjerrin për kafe.

Sa të ka mbështetur familja në këtë rrugëtim?

Kam mbështetje 100%. Pa ta, nuk do isha këtu. Vajzat më ndihmojnë shumë dhe më kanë shkurtuar lodhjen e punëve të shtëpisë. Më pyesin për çdo trajtim dhe janë mirëkuptuese. Ndodh që kur kthehem e mërzitur nga një ndeshje që kemi barazuar apo humbje, nuk flasin. Presin derisa unë të qetësohem. E përjetoj njësoj sikur të luaja edhe unë në fushë.

Çfarë planesh ke për të ardhmen?

Ndoshta ambicia është pak e madhe, por do më pëlqente që të isha pjesë e Kombëtares A. Pse do thoni ju? Jo vetëm se jam profesioniste, por duke qenë një femër në atë ambient, do ishte risi edhe në rang botëror. Që nga kombëtaret U-15 e deri tek ekipet A, nuk ka asnjë femër.

Ishte edhe Eva Karniero, mjekja e Çelsit…

E vërtetë, por ajo u pushua prej Murinjos, në mos gaboj. Me mburrje e kam thënë gjithnjë dhe do vazhdoj ta them, që unë jam femra e dytë në Europë që merrem me një klub futbolli. Do ishte risi edhe për përfaqësuesen tonë, shpresoj që ta lexojë intervistën time në “Panorama Sport” edhe presidenti Armand Duka (qesh). Është edhe Mirijana Kovaçeviç, “magjistarja serbe”, siç e quani edhe ju në media. Ajo është ndër më të mirat në këtë zanat. Punon në privat, edhe pse merret me rehabilitim e futbollistëve.

Le ta mbyllim me Pogradecin dhe ecurinë gjatë këtij kampionati. Sa larg mund të shkojë ekipi këtë sezon?

Jemi pushim këtë fundjavë dhe më pas kemi një transfertë shumë të vështirë me Flamurtarin. Jemi në vendin e tretë dhe synojmë që të kapim vendin e dytë dhe me anë të këtij pozicioni të kapim edhe elitën

Shiko tv shqip

Related Posts