Një blogere, Instagrami i së cilës vjen erë sapun, trëndafila dhe mjaltë

Ka pafund blogere dhe profile të bukura në Instagram. Mund të klikojmë me dhjetëra në ditë, të vizitojmë profilet e tyre, t’u bëjmë screeshot fotove e të ruajmë postime të ndryshme, mirëpo ka pak nga ato që të “godasin” me shikim të parë dhe të bëjnë të kalosh orë e orë të tëra në profilin e tyre pa u lodhur. E tillë është Tara Whiteman, Instagrami i së cilës, Tara Milk Tea, vjen erë sapun, trandafila dhe mjaltë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Tara Milk Tea (@taramilktea)

Nuk e ekzagjerojmë me këtë që themi. Profili i saj është i mbushur me energji pozitive, nga ato energji që t’i jep një parfum i mirë, një aromë e këndshme ose një pikturë e bukur. Në fakt, po t’i hedhësh një sy faqes së saj të Instagramit, të përcjell pikërisht ndjesitë e lartpërmendura.

Gjëja e parë që vërehet sapo bën “scroll” është kombinimi i ngjyrave në postime. Foto me përmbajtje të modës, ushqimit, udhëtimit, të ndërthurura në mënyrë perfekte me njëra-tjetrën. Ajo thotë se nuk ka ndonjë ‘sekret’ pas një fotografie perfekte, por sigurohet që të gjitha postimet e saj të përputhen në Instagram.

Tara është një blogere mode me origjinë aziatiko-australiane, me një pasion për artin dixhital dhe dëshmi për këtë është profili i saj shumëngjyrësh dhe kreativ i Instagram-it, që ka tërhequr më shumë se 1.3 milion ndjekës. Ajo ka punuar me brande të famshme, duke filluar nga Canon deri te Tiffany & Co. Në 2019-ën, Tara është renditur njeriu i 17-të më i paguar në botë në Instagram. Sipas të dhënave të publikuara online, ajo paguhet $15,000 për një postim të sponsorizuar.

Por si u bë Tara kjo që është sot?

Në një intervistë dikur për Daily Mail Australia, ajo ka treguar se e ka adhuruar udhëtimin që kur ishte e vogël. Në adoleshencë, kursimet nga punët që bënte, vendosi t’i shpenzonte për të udhëtuar me miqtë. Tara tha se nuk e imagjinonte kurrë se jeta e saj do të merrte këtë drejtim, por kur preku kamerën e saj të parë në moshën 12-vjeçare, e kuptoi se donte t’i përkushtohej kësaj gjëje me kohë të plotë.

Në kohën që Tara studionte, udhëtonte sa më shumë që të ishte e mundur, duke bërë fotografi gjatë rrugës dhe duke krijuar një numër fansash që donin të shihnin fotografitë e saj perfekte. Më pas filloi të punonte me kompani të ndryshme në projekte fotografike.
Jeta e saj ka ndryshuar tërësisht që nga viti 2017, ndërsa tani udhëton me kohë të plotë dhe bashkëpunon me markat e suksesshme – duke vizituar vendet më mahnitse të botës.
“Unë gjithmonë e kam dashur anën krijuese. Të qenit në gjendje ta kthej fotografinë nga një hobi në punën time, ka qenë gjithmonë një ëndërr. Më pëlqen gjithashtu aftësia për të ndarë këto përvoja në internet, në mënyrë që të tjerët mund të frymëzohen t’i vizitojnë gjithashtu”, -ka thënë ajo.
Në mënyrë që të mos ketë ndjesinë se është vazhdimisht në punë, Tara thotë se ndonjëherë i pëlqen ta fikë telefonin dhe kamerën – kështu që thjesht mund ta shijojë një vend dhe natyrën e tij.

Shiko tv shqip

Related Posts