PAA mbështet Bashën

Pas bashkimit të PDIU-së me idenë e kreut të PD-së për djegien e mandateve, një tjetër aleat i selisë blu ka përqafuar një lëvizje të tillë.

Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar nga Agron Duka ka njoftuar se nëse kanë shteruar të gjitha rrugët institucionale për të dalë nga kjo situatë, kjo parti mbështet nismën për djegien e mandatit të deputetit.

Që zgjedhjet e 25 qershorit 2017-të kanë qenë një nga momentet më të turpshme të pluralizmit politik, tashmë është një fakt i mbështetur nga përgjimet e Prokurorisë dhe publikimet e “Zërit të Amerikës”. Sigurisht do të kisha dashur që përpara se të arrinim tek ky vendim drastik, pra djegia e mandateve, Opozita të arrinte, nëpërmjet rrugës institucionale, të konkretizonte ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore, për të pasur realisht mundësinë e zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Megjithatë, nëse Opozita parlamentare gjykon se kanë shteruar të gjitha rrugët politike dhe vendos të djegë mandatet, ne do të respektojmë vullnetin e saj. Edhe pse tre mandate në listat e Partisë Demokratike i përkasin kandidatëve të Partisë Agrare Ambientaliste, ne do t’i dorëzojmë ato, pasi nuk mund të jemi pjesë e një Parlamenti ilegjitim. Ky akt politik i Opozitës shënon fillimin e një faze të re, në të cilën, të gjithë bashkë, duhet të gjejmë forcën për të sjellë një ndryshim real, jo vetëm për t’i dhënë fund tjetërsimit të zgjedhjeve, por për të hedhur themelet e një sistemi zgjedhor të drejtë, demokratik dhe përfaqësues”, thuhet në njoftim.

Shiko tv shqip

Related Posts