Qeveria e re, nesër pritet publikimi i emrave të ministrave (VIDEO)

LSDM-ja dhe Bashkimi Demokratik për Integrim arritën marrëveshje koalioni për Qeverinë e re që do të udhëhiqet nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, me mandat 4 vjeçar. Zaev paralajmëroi se do të shfuqizohet Qeveria e Përzhinos dhe se në vend të saj në 100 ditët e fundit Qeverinë do ta udhëheq një kryeministër tjetër i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Është nder për mua që arritëm marrëveshje koalicioni, sipas të cilit unë fitoj nderin të jem kryetar i Qeverisë së ardhshme për mandat të plotë 4 vjeçar. Shfuqizohet Qeveria teknike, shfuqizohet kryeministri teknik. Në 100 ditët e fundit partnerët e koalicionit, LSDM dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, me propozim të Bashkimit Demokratik për Integrim do ta përcaktojë kryeministrin që do t’i udhëheq 100 ditët e fundit deri në mandatin e ardhshëm të rregulltë- deklaroi Zoran Zaev, Mandatar për kryeministër.

Lideri i integristëve fillimisht hezitoi t’iu përgjigjej pyetjeve pse nuk përmbushi premtimin parazgjedhor, “Pse jo kryeministër shqiptar me mandat të plotë?”. Më pas tha se ideja e tij për kryeministër shqiptar kishte për qëllim bashkimin e komuniteteve.

“Çështja e kryeministrit ka qenë dhe mbetet një porosi që i afron dhe marrin përgjegjësi komuniteti shqiptar që të kemi një republikë më të fortë dhe më të qëndrueshme, me qytetarë të bashkuar. Dhe duhet përshëndetur edhe guximi i z.Zaev që për herë të parë në këtë vend 100 ditë do të jetë një shqiptar i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim për kryeministër në vend- pohoi Ali Ahmeti, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Nuk shpalosën detaje rreth ndarjes së resoreve, duke thënë se emrat e ministrave të rinj do të mësohen pasi të konfirmohen në organet partiake, nga dita e nesërme. Konfirmuan vetëm se kryetari i deritanishëm i Kuvendit, Talat Xhaferi, sipas marrëveshjes, do të mbetet në krye të ligjvënësit edhe 4 vitet e ardhshme. Mandatari, Zaev tha se nuk do të ketë ministra pa resorë, me përjashtim të zv/kryeministrave, paralajmëroi zvogëlim të privilegjeve të funksionerëve, zvogëlim për 20% të numrit të administratorëve, sistemim të administratorëve që marrin paga por qëndrojnë në shtëpi, luftë kundër korrupsionit, veting për politikanët dhe pastrim në gjyqësor. Tha se prioritet i Qeverisë së ardhshme do të jetë lufta ndaj Koronavirusit dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Pjesë e Qeverisë së re do të jetë edhe PDSH-ja, lideri i së cilës, Menduh Thaçi është i vetmi deputet nga radhët e partisë në këtë përbërje parlamentare.

Video:

Shiko tv shqip

Related Posts