Spartak Ngjela: Shkarkimi i Metës sinjal pozitiv, presidenti të monitorohet pasi po përgatit arratisjen jashtë vendit

Avokat Spartak Ngjela komentoi dje shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra, ndërsa shpërtheu në akuza të forta në adresë të tij. Teksa ishte duke folur në një studio televizive, Ngjela u shpreh besimplotë se Kuvendi i Shqipërisë do ta shkarkonte presidentin Meta, ndërsa e cilësoi seancën e djeshme plenare si një ditë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi siç theksoi ai shqiptarët do shpëtojnë nga uzurpimi, referuar ofiqeve që ka përfituar Meta nga politika.

“Është ditë e rëndësishme për Shqipërinë, procesi ka hyrë në një rrjedhë lumi që nuk ndalet më. Erdhi koha që shqiptarët do shpëtojnë nga një uzurpim, se është uzurpim ky, është konglomerat i madh anti-shqiptar që sot nis procesin e hapit të parë drejt një shoqërie demokrate. Besimi im është që Parlamenti do ta votojë edhe nëse ka pasur ndonjë të lëkundur, por tani ka hyrë lumi brenda në qytet. Nuk e shpëtojnë dot. Është në favor të shqiptarëve për të pastruar uzurpimin”, deklaroi ai. Më tej avokat Spartak Ngjela kërkoi që pas shkarkimit presidenti Ilir Meta të ndiqet penalisht, ndërsa iu bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese që të monitorojnë kreun e shtetit, pasi sipas tij, ai po përgatitet të arratistet nga Shqipëria.

“Drejt gjykimit penal. Ai po merr masa të thotë që është Parlament i paligjshëm dhe të ikë si Gruevski edhe ky këtë po mendon, por s’besoj se do jetë në gjendje ta bëjë. Ruçi duhet të marrë masa, të mos lejojë Metën të largohet nga Shqipëria. Meta bëri shumë shkelje”, u shpreh ai. Ndërkohë, avokat Spartak Ngjela ka komentuar edhe Urdhrin Ekzekutiv të miratuar dy ditë më parë nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ku autorizohen sanksione ndaj personave të përfshira në aktivitete destabilizuese, korruptive dhe anti-demokratike në Ballkanin Perëndimor. “Nga vendimi i Biden duhet të frikësohen të gjithë të korruptuarit, që kanë futur duart në arkat e shtetit”, nënvizoi avokat Ngjela.

Shiko tv shqip

Related Posts