Stuhia kërcënon planetin: Dhjetori, muaji i “përvëlimit”

Vala e të nxehtit që përfshiu mbarë botën dy vite më parë dhe që e ktheu 2016-n në vitin më të nxehtë në histori ka gjasa të përsëritet këtë vit. Studiuesit kanë paralajmëruar se fenomeni i njohur si “El Ninjo” e ka rezervuar shfaqjen e tij në muajin dhjetor.

Organizata Botërore për Meteorologjinë ka paralajmëruar të hënën se ekzistojnë 70 për qind shanse që “El Ninjo”, siç njihet vala e motit të nxehtë, do të përsëritet sërish dhe do të zgjasë deri në fund të këtij viti.

Rasti i fundit kur fenomeni në fjalë u verifikua ishte në periudhën mes viteve 2015-2016 dhe pati një impakt të fortë në modelet tradicionale të motit në pjesë të ndryshme të botës. Studiuesit thonë se nuk presin që “El Ninjo” i ri të jetë aq intensiv sa ai i viteve të mëparshme, ndërsa shtojnë se ndryshimet e klimës janë shkaku i kësaj dinamike.

“El Ninjo”, i njohur ndryshe si “Luhatja nga Jugu”, është një event natyror që përfshin luhatjen e temperaturës së sipërfaqes së oqeanit Paqësor, që influencon më tej motin në të gjithë botën. Vala e të nxehtit e dy viteve më parë ishte ndër më agresivet e regjistruara ndonjëherë dhe pati një impakt global ndaj temperaturave, që e futën 2016-n në librin e rekordeve si viti më i nxehtë.

Përveç nxehtësisë, eventi çoi gjithashtu në ashpërsimin e thatësirës në Afrikë, ku rezervat ushqimore u tkurrën në mbarë kontinentin; ndërsa në Amerikën e Jugut përmbytjet vërshuan në Brazil, Argjentinë, Paraguaj dhe Uruguaj.

2018-a nisi me të kundërtën e “El Ninjo”, e ashtuquajtura “El Ninja”, që shkaktoi uljen e temperaturave mesatare të sipërfaqes së Paqësorit, por që tashmë ka kaluar duke ia lënë vendin “vëllait”, që mesa duket e ka rezervuar surprizën për në fund të vitit.

Shiko tv shqip

Related Posts