Ta bëjmë Guvernator Fullanin, na bie më mirë…

Sapo lexova një lajm të fundit. Ardian Fullani, ish Guvernatori i Bankës së Shqipërisë paska kërkuar në Gjykatën e Apelit “të drejtën e tij” për shkarkimin e paligjshëm nga detyra para disa vitesh…

Ardian Fullani është 64 vjeç. Edhe 100 të bëhet se e meriton për kontributin që ka dhënë për këtë vend. Ka shërbyer pa u lodhur, qysh në krye të herës në Bankën e Shqipërisë. Në kohën e komunizmit i kishte merak Mardhëniet me Jashtë. Shërbeu si Drejtor I tyre nga vitet 87 deri më 90.

Pas kësaj, sistemi u ndryshua por Fullani jo.

Në 1992 u zgjodh Zv. Guvernator i Bankës Qendrore. Pak më vonë shërbeu me devotshmëri si Drejtor i Mardhënieve me Jashtë. Në fund të viteve ‘90 u sakrifikua si Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Italo-Shqiptare për nja 4 vjet të mira.

Qysh prej vitit 2004 e deri në vitin 2014 ishte Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

10 vjet Guvernator në 20 vjet demokraci! Punë e përkushtim thonë sa harronte të hante…

Siç mund të vërehet, një jetë e tërë në shërbim të Bankës. Deri sa një ditë të bukur zbuloi që në thesarin e saj mungonin nja 6 milion Euro. Kur e mori vesh lajmin, ishte në dilemë, t’i merrte në shtëpi e t’i zëvendësonte apo të gjente ndonjë kurban brenda Bankës e ta mbyllte atë muhabet pa shumë kosto…

Dikush e këshilloi për të dytën. “Ia hedhim pa lagur” – i tha.

“Plus që mund të na mërzitet Eriku po t’i marr nga shtëpia” mendoi Fullani. “Lëre që çfarë faji kam unë në fund të fundit pse vjedh një arkëtar. Ka sistem sigurie, arkëtar, llogaritar, Inspektor të Përgjithshëm etj etj… Absolutisht jo! Të shkojnë ata në burg”!

Pastaj dikush sërish I tha: “Mirë mo mirë po ti je Guvernatori, kur ka sukses ti i merr meritat edhe pse punën e bëjnë këta tjerët”. Atë moment u bë keq. E pa me një shikim që mos o Zot dhe qysh atë ditë nuk flet me të…

U fut gabimisht në burg ca ditë. Nami u bë deri sa doli.

Por u bë e pabëra, u shkarkua nga Guvernator!

Këtë nuk e fali kurrë! Për 6 milion Euro të qelbta të një hajduti ordiner të bëhej pis gjithë ai Guvernator? Direkt hapi gjyq dhe kërkoi dëmshpërblim. Menjëherë u mblodh Gjykata, me procedurë të përshpejtuar. Një vendim absurd u dha. Vetëm 12 paga mujore, as 100 mijë dollar jo….

Atëherë Ardi u prek në sedër, me kë talleshin ata. Jo mo jo. 56 paga në daçin. Pra nja 4 vjet e gjysëm paga. Që në vlerë i bie rreth 400 mijë dollar. Një vlerë simbolike kjo.

Edhe Gjykata e Apelit u mblodh me procedurë të përshpejtuar dhe ia miratoi kërkesën. 56 paga do ti jepen me urgjencë zotit Fullani….

Ndërkohë, në Gjykatë, zoti Fullani u takua me ish vartësen e tij, zonjën Elivar Golemi. Në vitin 2014 zonja Golemi ishte Inspektore e Përgjithshme e Bankës Qendrore. Një zonjë e nderuar dhe profesioniste. Ajo ishte kurbani i Fullanit dhe sorollatet nëpër Gjykata prej 5 vitesh. Fillimisht u fut në burg. Pastaj filloi kalvarin e seancave gjyqësore… 40 të tilla! Për të kërkuar të drejtën e vet. Por, në përfundim Gjykata e Apelit e shpalli…. Fajtore! Gjyqtarja e saj, me keqardhje, i paskësh thënë : “Më fal por dikush duhet të paguajë dhe fati I keq të ra ty…”

“Aman mos e bëj të madhe se dy vjet me kusht janë” i tha Fullani kur u takuan në Gjykatë. “Ia hodhëm mirë. E sheh ç’po heq unë dyerve të Gjykatave për 56 rroga të qelbta”!

Shiko tv shqip

Related Posts