Tefta Radi Jeta ime nje aventure brenda dhe jashte ekranit

Nga një vajzë çapkëne dhe dashur, Tefta Radi u kthye në një ikonë e  ekranit të TVSH-së. Rastësia e një kolegu për të provuar zërin e saj e çoi atë drejt kësaj rruge të gjatë dhe të mbushur me aventura. Dëshira e saj dhe e prindërve ishte që ajo të bëhej doktoreshë, por kjo nuk u realizua.

Gazetaria për të u kthye në një pasion, të cilin e ka dhe sot, duke mos e ndarë kurrë gazetarinë e terrenit nga gazetaria e të qenit folëse në studio. Është njeri që e do shumë jetën dhe lufton që ta jetojë atë sa me bukur. Ne një intervistë ekskluzive për gazetën “Tirana Observer”, Tefta Radi rrëfen në detaj jetën e saj, që nga fëmijëria e deri tani.

Si e kujtoni fëmijërinë tuaj?

E kujtoj gjithnjë me nostalgji. Edhe pse jetesa nuk kishte standardin e sotëm, mendoj se kam kaluar bukur fëmijërinë time. Mendoj se kam kaluar gjithë stadet që duhet të kalojë një fëmijë. Kam qenë një fëmijë e hedhur, e shkathët. Mezi prisja që të vinin pushimet. Prindërit kanë qenë të ngarkuar në punë dhe sa vinte vera me pushimet e shkollës na çonin pranë gjyshërve. Gjysmën e kohës e kalonim në një fshat të Korçës, në Biranj, fshat që unë e kujtoj me nostalgji: përroin ku laheshim, ku ndihmonim gjyshet, ndërsa gjysmën e kohës e kaloja në Leskovik, te prindërit e babait.

Nëna ime ishte korçare, kurse babai nga Leskoviku, të dy nga jugu. …Kujtoj gjyshet tona me të cilat jemi rritur me shumë dashuri. Ato nuk përtonin të na gatuanin më të mirën që dinin të bënin: lakrorët, për shembull Korça i ka zanat. S’përtonte gjyshja ime, nuk përtonte as dajica, siç i thonë në atë anë nuses së dajës, edhe pse ne mblidheshim shumë, pasi ishim shumë nipër e mbesa nga qyteti. Më ka mbetur ne mendje lakrori me kumbulla të egra, i pjekur me saç.

Ne, fëmijët, shkonim nëpër ato kodrat, përreth përroit, mblidhnim shkarpa, ndihmonim dajicën, në kooperativë tek shkonim duhanin. Kemi bërë çdo lloj pune. Kemi bredhur dhe zbathur, dhe jemi gjakosur, dhe kemi hipur nëpër pemë, po edhe kemi vjedhur ndonjë kokërr mollë. Mblidhnim qershitë ndihmonim të bëhej likoja. Gjyshet tona kishin sëndukët që vinin një erë shumë të mirë. Përpiqeshin të ruanin ndonjë liko, ndonjë pekmez.

Dhe ne bënim, ç’bënim, do t’i vidhnim gjyshes nga një lugë pekmez. Harronim që ishim fëmijë dhe lëpiheshim duke pikuar përdhe. Gjyshja i shihte pikat e pekmezit. “Po prapë ma keni vjedhur”,- thoshte… I kemi provuar të tëra, kemi parë atë buzëmbrëmje, kur ktheheshin bagëtitë, atje në sokak.

Mësuam nga gjyshet si të gatuajmë, të bëjmë një gjë të veçantë, unë kam gatuar që në klasë të tretë, të katërt, mamanë e kam pasur tërë jetën në shëndetësi. Pra ishte një fëmijëri që na ka lënë të tëra hapësirat. Unë jam marrë me basketboll, megjithatë nuk u zgjata kurrë. Njerëzit kur më kanë parë nga ekrani më kanë përfytyruar më të bëshme seç jam në të vërtetë.

Ç’mendim keni për fëmijët e sotëm?

Kam një mbesë pesë vjeç, Vanesën, të cilën e shkëputa këtë vit nga e ëma që jeton në Gjermani dhe e mora të rrijë pranë meje. E para për të mësuar lirshëm shqipen, për ta folur atë bukur, për të komunikuar, sepse nëse nuk di gjuhën, nuk ka si të komunikojë dhe si të na dojë. Ne, gjithashtu do të ndjehemi të huaj mes njëri- tjetrit. Vitet ikin shpejt, por mbi të gjitha për ta jetuar fëmijërinë edhe ashtu e pavarur nga prindërit. Kur kujtoj veten time fëmijë, mbaj mend që  mezi prisnim të vinin pushimet.

Ishim mësuar të shkëputeshim nga prindërit që të vegjël, ishim mësuar që luanim çfarë do lloj loje që ofronte koha, larg këtyre lojërave elektronike, që ka sot, të cilat për mua janë të lodhshme. Ia zënë gjithë kohën fëmijëve para një kompjuteri, për t’i dhënë dhe për të nxënë më shumë se sa duhet, edhe pse nuk e ka moshën, për ta larguar nga ajo liri e fëmijërisë, për ta bërë atë për të mos i kaluar këndshëm etapat fëminore.

Të bredhë, të rrëzohet, të vritet, të hipë në një pemë, të lahet në një lumë. Jam për një lloj edukate spartane, në kuptimin e asaj që fëmija duhet të krijojë pavarësi, të bëhet i zoti i vetes, të dijë të çajë në jetë edhe kur gjendet përballë vështirësisë të dijë të dalë prej saj, të bëhet i përgjegjshëm për jetën dhe për atë që e pret. Në këtë aspekt do të kujtoj prindit e mi.

Them se ishin të fortë, ne sot jemi nostalgjik më shumë se sa duhet ndaj fëmijëve tanë në këtë aspekt jemi me të dobët, përpiqemi t’u plotësojmë çdo dëshirë duke mos i lënë ata të mendojnë që vërtet ka liri dhe të drejta në këtë botë, por ka dhe përgjegjësi, përballë të cilave duhet të jemi të gjithë njësoj, detyrim dhe përgjegjësi në familje dhe në shoqëri, në komunitet e kudo. Në këtë aspekt do t’i referohem, për shembull fëmijëve të Ledi Dianës.

Nëse në jemi nostalgjik dhe përpiqemi t’ua vëmë bukën me tabaka përpara, do të kujtoj se çfarë edukate marrin ata, kur i shikojmë ne ata, prindër nëpër fermat e tyre, stallat e derrave, duke u shërbyer kafshëve. I kemi parë të venë në fronte lufte të bëjnë ushtri, të venë në Afganistan të shkojnë në Afrikë, atje ku është vuajtja, ku është mjerimi, të kontribuojnë dhe këtë e shikoj vërtet si një hap shumë cilësor.

Çfarë u mungon? Pse e bëjnë? Për ta njohur realitetin në të gjithë hapësirën. Dhe unë jam për këtë gjë. Dëshiroj që fëmija të ketë pavarësi, të njohë botën të dijë të bëj gjithçka, jeta nuk është vetëm një shkollë, më një shkollë nesër mund të jesh pa asgjë. Në këtë shoqëri të globalizuar, në këtë shoqëri ku dalin me mijra të arsimuar në universitetet, mendoj se nuk është mjaftueshëm. Njeriu duhet të përpiqet t’i bëjë ballë jetës, të ketë një zana, të dijë të bëjë diçka ndryshe nga ajo që ka marrë në shkollë.

Cilat kanë qenë ëndrrat dhe dëshirat e fëmijërisë? E kishit menduar se një ditë do të bëheshit gazetare?

Hamendësime se mund të bëhesha gazetare nuk e kam kaluar nëpër mend. Kam mbaruar gjuhë letërsi. Babai im kishte shumë dëshirë që unë të bëhesha mjeke, kam qenë një nxënëse dhe një studente shumë e mirë, dua të them këtë, se aq sa kam qenë e prapë kam qenë dhe me vullnet ndaj librit.

Kam qenë shumë frikacake, por e ndjeshme, më ziente gjaku. Sa isha trime e fortë në lojëra, në shoqëri, dy pika gjak edhe sot më zënë po t’i shikoj. Imagjino që fëmijëve të mi nuk i kam shkuar kurrë për t’u bërë një vaksinë. Kjo ishte dhe arsyeja pse nuk u bëra doktoreshë.

Si u gjendët në gazetari dhe konkretisht në RTSH?

Në gazetari unë u gjenda fare rastësisht. U diplomova në fushën e letërsisë, në mësuesi. U emërova në Pukë, në Fushë-Arrëz. Në shkollën e mesme një pasion i veçantë ishte dhe mësuesia. Për Fushë-Arrzin ruaj nostalgji, për ata njerëz të cilët ishin të varfër po kishin një zemër të madhe. Akoma vazhdoj të ruaj kontakte me ish nxënësit e mi.

Ishte rastësia, një kolegu im që mbulonte emisionet e rinisë vjen në shkollë të mesme për të bërë një emision, i pëlqeu zëri im dhe më ftoi në një konkurs që organizoi “Radio Tirana” të cilin e fitova. Domethënë kam hyrë në fushën e gazetarisë fare rastësisht. Më vonë u kthye në një pasion, të cilin e kam dhe sot. Duke mos e ndarë kurrë gazetarinë e terrenit nga gazetarinë e të qenit folëse në studio.

Ndonjë kujtim të veçantë nga këto 30-vjet punë?

Unë kujtime kam shumë të bukura dhe të hidhura. Gazetaria ashtu është, do ndeshesh me shumë tipe, me shumë karaktere, të jesh e pranishme në shumë ngjarje tragjike, të hidhura e të gëzuara. Do të kujtoja ngjarjet e ‘97-ës të cilat do t’i quaja një nga vitet më të errëta që pas ‘90-ës, do të kujtoja ‘98-ën shumë pak do t’i ndaja këto dy vite nga njëri- tjetri për nga përmasat e tragjedisë. Kur e mendoj ndonjëherë, më duket si një tragjedi-komedi me pasoja për këtë vend.

Ku qëndron sekreti i të lexuarit në mënyrë të rrjedhshme dhe pa gabime?

Nuk mund ta quaj ndonjë sekret, në fakt dhe në shkollë jam vlerësuar në këtë drejtim, jam vlerësuar për hartimet e bukura, deri në gjimnaz hartimet e mija lexoheshin para klasës, shumëkujt i pëlqente dhe diksioni im, mënyra e të lexuarit, por asnjë herë nuk e kisha çuar nëpër mend se do të përfundoja në ekranin e TVSH-së.

Ju i keni provuar të dy sistemet që ka kaluar vendi ynë. Si ndryshon gazetaria nga njëri sistem politik në tjetrin ?

Shiko tv shqip

Related Posts